LokalXLajme

ISHP: Nuk ka radioaktivitet në ujë dhe metale të rrezikshme të rënda në tokë pas zjarrit në Trubarevë

Instituti i Shëndetit Publik ka kryer një ekzaminim të jashtëzakonshëm në zonën e prekur, në Trubarevë dhe të dielën janë marrë mostra nga një ekip profesional ekspertësh të ISHP-së për analizë të radioaktivitetit në ujë, tokë dhe ajër, si dhe mostra për analizë të metaleve të rënda në tokë dhe ujë.

Gjatë ditës së djeshme, ISHP njoftoi se sipas rezultateve dhe analizave të kryera, në mostrat e marra nuk është konstatuar prani e radioaktivitetit në ajër dhe tokë, si dhe nuk është konstatuar prani e metaleve të rënda në ujë.

ISHP dje i përfundoi analizat dhe ekzaminimet e mostrave për metalet e rënda në tokë, si dhe analizat për radioaktivitet në ujë.

Nga rezultatet e marra sot, ISHP informon se janë marrë mostra nga disa lokacione të zonës së prekur për analizë të metaleve të rënda në tokë, konkretisht për: Pb, Cd, As, Ni, Hg, Cr, Cu, Zn, Sn, Ba, Be, Co, V, Tl, Mo, Sb.

“Pas analizës së rezultateve nga të gjitha mostrat e marra, mund të konkludohet se nuk ka devijime nga vlerat referuese për të gjitha 16 metalet e rënda të analizuara (Pb, Cd, As, Ni, Hg, Cr, Cu, Zn, Sn, Ba, Be, Co, V, Tl, Mo, Sb).Është vërejtur një rritje e nivelit të dy parametrave – Cu (bakër) dhe Zn (zink) vetëm në një vend të testuar, konkretisht në shtresën sipërfaqësore ku kanë djegur bateri litiumi, dhe kjo është brenda pritshmërive. Në të gjitha vendet e tjera nuk ka devijime nga vlerat referuese për metalet e analizuara”, theksojnë nga Instituti.

Gjithashtu, siç u përmend më lart në këtë njoftim, është analizuar radioaktiviteti edhe në mostrat e ujit, dhe sipas rezultateve të marra, nuk është konstatuar radioaktivitet në mostrat e ujit.

Instituti i Shëndetit Publik ka arritur që në një kohë shumë të shkurtër t’i kryejë analizat e nevojshme.Këto analiza do të përsëriten në përputhje me protokollet dhe afatet e parashikuara.

Nga ISHP njoftojnë se mbeten në koordinim të mëtejshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet shtetërore kompetente, dhe për çdo aktivitet të ardhshëm, publiku do të informohet në mënyrë të përshtatshme.

Related Articles

Back to top button