
Është ndezur sërish debati për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.
Këtë herë, ka qenë kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi i cili në një intervistë së fundmi, pyeti se çfarë ndryshoi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti me luftën e 2001-shit.
“Çfarë ndryshoi Ahmeti me luftën? Na thuaj, çfarë ndryshoi në kuptimin e ndryshimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut? Pse lejoi të ikin aq shumë të rinj shqiptarë dhe ne të mbetemi në pikën e njëjtë?”, pyeti Ibrahimi.
Ka reaguar Blerim Bexheti nga BDI.
“Zeqirija Ibrahimi paska thënë se lufta e UÇK-së nuk ka ndryshuar asgjë në Maqedoni. Po dëshmorët, që sakrifikuan për liri, e dhanë jetën kot?!”, pyeti mes tjerash Bexheti.
Ndërkaq kritikave për këtë deklaratë, Ibrahimi iu është përgjigjur nga Zhelina.
Ibrahimi ka theksuar se UÇK është vlera më e lartë e kombit, por fatkeqësisht është keqpërdorur gjaku i dëshmorëve nga pushtetet e kaluara.
“Më duhet t’ua kujtoj atyre se ne nuk kemi ardhur asnjëherë në pushtet duke e shfrytëzuar gjakun e dëshmorëve të UÇK-së. Asnjëherë nuk kemi dalur në skenë e të bërtasim UÇK, UÇK e t’u themi njerëzve të më votoni se unë dua ta blej Soravinë”, deklaroi mes tjerash Ibrahimi./PortaliX



