
Në Maqedoni, droga dhe armët ilegale nuk kanë të ardhme, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas asgjësimit të drogës dhe armëve të konfiskuara në hapësirat e fabrikës “Makstil”.
Ai theksoi se përmes proceseve të shkatërrimit të çdo grami droge dhe çdo cope arme, shteti tregon se siguria e qytetarëve dhe siguria e të rinjve në vend ngrihet në një nivel më të lartë.
Në aksionin e sotëm, siç shtoi ai, janë asgjësuar mbi 4.000 tonë marihuanë, 18.000 fidanë marihuanë, 79 kilogramë lule dhe mbi 21 kilogramë lloje të tjera droge si amfetaminë, kokainë, heroinë… Janë shkatërruar gjithashtu mbi 100 copë armë dhe mbi 1.000 fishekë dhe pjesë të tjera të armëve.
“Këto janë droga dhe armë të vjetra, të mbledhura gjatë viteve të kaluara, për të cilat ka përfunduar procedura gjyqësore. Në të ardhmen do të pasojnë sasi edhe më të mëdha”, tha Toshkovski.
Ai u dërgoi një mesazh qytetarëve që kohët e fundit kanë qenë nën ndikimin e bandave kriminale në rajonet e Shkupit, Maqedonisë Perëndimore dhe pjesës juglindore të vendit, se me shkatërrimin e tyre janë konfiskuar sasi të drogës dhe armëve ilegale, të cilat në të ardhmen do të asgjësohen.



