13 intervenime të Ndihmës së Shpejtë në Trubarevë, një pacient i shtruar në Klinikën e Toksikologjisë

Gjatë natës së kaluar deri në orët e pasdites, në rajonin e Trubarevës janë kryer 13 intervenime nga Ndihma e Shpejtë, gjatë të cilave një person është transportuar në spital dhe një tjetër, i palëvizshëm, është transferuar në një vendbanim tjetër.
“Ministria e Shëndetësisë po e ndjek nga afër situatën dhe sistemi shëndetësor është i mobilizuar për t’u përballur me sfidat e reja që janë shfaqur. Nga ndërhyrjet e kryera nga Ndihma e Shpejtë, vetëm një person është transportuar në një institucion publik shëndetësor, në Klinikën për Toksikologji. Po ashtu, shtabi i krizës që e formuam menjëherë si Ministri është duke zhvilluar mbledhje të vazhdueshme dhe në periudhën në vijim do të ndërmerren masa të përshtatshme në përputhje me rrethanat,” deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Nga Klinika e Toksikologjisë njoftuan se pacientja e pranuar gjatë natës është jashtë rrezikut.
“Pacientja ka pasur edhe simptoma të tjera shoqëruese dhe për këtë arsye është mbajtur në trajtim, por më e rëndësishmja është se ajo ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë ditës së sotme edhe tre pacientë të tjerë janë kontrolluar në mënyrë ambulatore në Klinikë dhe janë lëshuar në shtëpi,” tha drejtori i Klinikës, Argjend Imeri.



