
Të gjitha partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur që duan të garojnë në zgjedhjet lokale të 19 tetorit 2025, kanë afat deri në mesnatë për të dorëzuar kandidaturat e tyre. Aplikimet për kryetarë komunash dhe këshilltarë dorëzohen përmes përfaqësuesve të autorizuar në Komisionet Komunale Zgjedhore (KZK) dhe në Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit (KZQSH).
Pasi të pranojë një listë, komisioni verifikon nëse ajo është dorëzuar në afat dhe nëse kandidatët plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Institucionet shtetërore janë të obliguara t’i japin komisioneve të gjitha të dhënat e nevojshme brenda 24 orëve, falas dhe në mënyrë elektronike.
Në rast se listat kanë parregullsi, përfaqësuesit e partive apo koalicioneve duhet t’i korrigjojnë ato brenda 48 orëve. Nëse një kandidat nuk i plotëson kushtet ligjore, ai mund të zëvendësohet me një tjetër në të njëjtën periudhë. Pas rregullimit, komisioni e konfirmon listën me vendim zyrtar.
Kodi Zgjedhor parasheh edhe mundësinë e tërheqjes së një kandidature apo liste brenda 48 orëve nga konfirmimi i saj, por kjo vlen vetëm për tërheqje të plotë të listës dhe jo të kandidatëve individualë.
Lista e numrave rendorë për kandidatët do të përcaktohet me short, i cili do të mbahet më së voni më 25 shtator. Numrat rendorë do të jenë të njëjtë në të gjitha komunat dhe në Shkup, ndërsa aty ku nuk ka përfaqësues, numri do të zëvendësohet.
Gjithashtu, në komunat ku mbi 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë zyrtare tjetër përveç maqedonishtes, listat do të publikohen edhe në gjuhën e tyre. Kjo duhet të ndodhë jo më vonë se 25 shtatori, deri në mesnatë.
Si hap final, deri më 27 shtator, të gjitha partitë dhe koalicionet pjesëmarrëse duhet ta nënshkruajnë Kodin për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike.



