Botë

142 shtete të OKB-së mbështesin një shtet palestinez, pa Hamasin. Shqipëria dhe Maqedonia abstenuan

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë të rëndësishme që synon ringjalljen e procesit për krijimin e një shteti palestinez, por duke përjashtuar Hamasin nga çdo rol politik në të ardhmen. Teksti u mbështet nga 142 shtete, ndërsa 10 votuan kundër – përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara – dhe 12 abstenuan. Në mesin e vendeve që nuk morën anë ishin edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat mbajtën një qëndrim neutral.

Rezoluta, e paraqitur nga Franca dhe Arabia Saudite, dënon hapur sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023, kërkon lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e armëve të organizatës. Dokumenti thekson nevojën për një veprim të koordinuar ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje të drejtë e të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve, të bazuar mbi parimin e dy shteteve.

Vendimi është përshëndetur nga përfaqësuesit palestinezë, të cilët e quajtën një hap të rëndësishëm drejt arritjes së shtetit të pavarur. Por Izraeli e hodhi poshtë kategorikisht, duke e cilësuar rezolutën si një “cirk politik të shkëputur nga realiteti”. Votimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në samitin e 22 shtatorit në Nju Jork, të bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, ku pritet që disa liderë botërorë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, të shpallin njohjen zyrtare të shtetit palestinez.

Pavarësisht mbështetjes së gjerë ndërkombëtare – rreth tre të katërtat e shteteve anëtare të OKB-së tashmë e kanë njohur Palestinën që nga shpallja e saj në vitin 1988 – realiteti në terren mbetet i vështirë. Lufta dyvjeçare ka shkatërruar Gazën, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë zgjeruar, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar publikisht se “nuk do të ketë shtet palestinez”.

Related Articles

Back to top button