
Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot ka zyrtarizuar koalicionin “Maqedonia yte” e cila do të marrë pjesë së bashku në zgjedhjet e ardhshme lokale. Mickoski në konferencën për shtyp para selisë së partisë, theksoi se koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE është koalicioni më i madh i përbërë nga 25 parti me karakter të ndryshëm, të cilat, sipas tij, “në masë të madhe përfaqësojnë ngjyrën e shoqërisë së vendit”.
Ai theksoi se zgjedhjet e ardhshme lokale janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, para së gjithash për shkak të kompetencës së drejtpërdrejtë të pushteteve lokale në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe për këtë arsye, tha ai, “nuk është njëjtë se çfarë kryetari të komunës do të zgjedhin qytetarët”.
“Në periudhën e kaluar kemi treguar dhe dëshmuar se dimë si t’i udhëheqim komunat pa asnjë skandal dhe shumë punë. Përveç kësaj, në katër vitet e ardhshme të gjitha komunat do të kenë mbështetjen e pushtetit qendror, diçka që unë do ta dëshmoj dhe tregoj si në një vit e gjysmë më parë. Arsyeja e dytë është se këto zgjedhje kanë të bëjnë me atë çdo person në vend që bën zgjedhjen e duhur për vendin e tij, komunën tuaj, të zgjidhet personi juaj që do të luftojë për çdo person në shoqëri. Ai person duhet të mbrojë interesat e qytetarëve dhe të zgjidhë problemet. Prandaj do të dalim me ofertë dhe me njerëz që do të jenë zëri i popullit në administratë dhe komuna dhe do të punojnë për qytetarët. Jemi të bindur se forca e shtetit nuk matet vetëm përmes institucioneve të saj në nivel qendror, por përmes jetës së përditshme në qytete dhe fshatra, në komuna ku qytetarët ushtrojnë të drejtat e tyre dhe shijojnë ëndrrat e tyre”, ka thënë Mickoski.
Ai shprehu vendosmëri për ndërtimin e vetëqeverisjes lokale në vend, e cila siç tha ai, do të jetë shembull i qeverisjes demokratike, efikasitetit ekonomik dhe afirmimit kulturor. Mickoski vuri në dukje se liderët e partive politike nga Koalicioni “Maqedonia yte” miratuan Deklaratë për një Maqedoni për qytetarët dhe për komuna që krijojnë të ardhmen.
“Duke besuar se infrastruktura është bazë për zhvillimin e çdo komuniteti, ne angazhohemi të investojmë në ndërtimin dhe rikonstruimin e rrugëve, urave, ujësjellësve, sistemeve të kanalizimeve, shkollave, sallave sportive dhe qendrave kulturore. Ne do të inkurajojmë politika që do të krijojnë vende të reja pune dhe do të forcojnë ndjenjën e sigurisë ekonomike në çdo komunë. Ne do të angazhohemi për përmirësimin e kujdesit shëndetësor primar përmes modernizimit të klinikave ambulatore, pajisjes më të mirë të qendrave shëndetësore dhe qasjes më të lehtë në shërbimet mjekësore”, ka thënë Mickoski.
Fokusi, shtoi ai, do të jetë në zonat rurale, ndërsa arsimi do të jetë instrument kyç në ndërtimin e brezave që do ta përfaqësojnë vendin me dije, vlera dhe përgjegjësi. Ai thotë se të rinjtë janë kapitali më i madh i vendit dhe për këtë arsye atyre do t’u mundësohet arsim cilësor, sport dhe kulturë, si dhe kushte të mira punësimi.
“Do të krijojmë ambient në komunat e tyre, në mënyrë që të mund të ndërtojnë identitetin e tyre këtu, në shtëpi, në atdheun e tyre, Maqedoninë. Misioni ynë është që brezat që do të vijnë ta trashëgojnë Maqedoninë më të fortë, më të pasur dhe më të stabile nga sa e gjetëm ne”, nënvizoi Mickoski.



