LokalXLajme

Ndërmjetësoi në prostitucion, arrestohet 41-vjeçarja nga Bojana

Një aksion i ndërmarrë nga policia në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Inspektoratin e Punës, përfundoi me arrestimin e një 41-vjeçare nga fshati Bojanë i Shkupit, e dyshuar për ndërmjetësim në prostitucion.

Sipas njoftimit të MPB-së, më 11 shtator 2025, në intervalin kohor prej orës 12:00 deri në 14:00, policia e Tetovës së bashku me institucionet tjera kompetente ka realizuar kontrolle në disa objekte në qytet. Në një lokal hotelierik në rrugën “Jane Sandanski”, rreth orës 14:00 është privuar nga liria G. Sh. (41) nga Bojana e Shkupit, ndaj së cilës ekziston dyshimi i bazuar për përfshirje në veprën penale sipas nenit 191 të Kodit Penal.

Gjatë aksionit është hasur edhe menaxheri i lokalit, G. N. (59) nga Tetova, ndërsa të dyve u janë konfiskuar telefonat mobilë. E dyshuara është dërguar në stacionin policor, ku pas përfundimit të procedurave pritet kallëzim penal ndaj saj./PortaliX

Related Articles

Back to top button