LokalXLajme

Kuvendi miraton Deklaratën për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike

Kuvendi sot pasdite me 73 vota “për” dhe asnjë “kundër” miratoi Deklaratën për mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe demokratike për anëtarët e këshillave dhe për kryetarët e komunave, përfshirë edhe qytetin e Shkupit.

Deklaratën e paraqiti kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, së bashku me koordinatorët e të gjitha grupeve parlamentare. Në të, Kuvendi shpreh unitet mbi partitë për të siguruar zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike, që së bashku me sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut janë shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike. Deklarata thekson respektimin e parimit kushtetues që çdo qytetar të ushtrojë të drejtën e tij zgjedhore në mënyrë të drejtpërdrejtë, në zgjedhje të lira dhe me votim të fshehtë, dhe dënon fuqishëm votimin familjar dhe grupor si mundësi për manipulim të votave dhe ndikim mbi rezultatet zgjedhore.

Kuvendi gjithashtu konfirmon angazhimin e tij për një shoqëri me mundësi të barabarta për pjesëmarrje në proceset politike, ku çdo qytetar ka mundësi të barabartë të kontribuojë në vendimmarrje. Ai shpreh mbështetje të plotë për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera për organizimin dhe realizimin e zgjedhjeve të ndershme, duke siguruar kushtet për shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve pa frikë, presion, diskriminim, kërcënime apo manipulime. Po ashtu, Kuvendi mbështet plotësisht mbikëqyrjen e pavarur dhe efektive të procesit zgjedhor nga organizata, shoqata dhe media vendase dhe ndërkombëtare, sipas ligjit, rregullave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe standardeve ndërkombëtare.

Deklarata thekson nevojën për një fushatë zgjedhore të ndershme dhe demokratike, duke vlerësuar rëndësinë e tolerancës politike dhe respektit midis pjesëmarrësve me bindje dhe politika të ndryshme. Ajo dënon fuqishëm gjuhën e urrejtjes, dhunën dhe diskriminimin, dhe nënvizon rëndësinë e medias dhe përfaqësimit mediatik të pjesëmarrësve në fushatë për promovimin e kandidatëve, politikave dhe qëndrimeve të tyre. Deklarata kërkon gjithashtu qasje të barabartë në media për të gjithë pjesëmarrësit dhe dënon fushatat që shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta për të diskredituar individë, institucione, parti politike ose organizata.

Kuvendi dënon çdo formë korrupsioni zgjedhor, keqpërdorimin e burimeve dhe institucioneve shtetërore për qëllime partiake, ryshfetin, presionin dhe çdo sjellje tjetër që mund të rrezikojë respektimin e vlerave dhe standardeve demokratike gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u shpreh para deputetëve se me këtë Deklaratë, parlamenti dërgon një mesazh të qartë për bashkim mbi dallimet partiake, duke treguar vullnetin e fortë për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike.

“Kjo deklaratë, të cilën shpresoj ta miratojmë njëzëri, nuk është vetëm një akt formal, por shpreh vendosmërinë e Kuvendit, të të gjitha partive dhe deputetëve që të sigurojmë kushte të barabarta për qytetarët tanë për të zgjedhur lirshëm përfaqësuesit e tyre. Dëshirojmë zgjedhje ku garimi politik zhvillohet pa incidente dhe konflikte, pa presion dhe frikë, pa poshtërime dhe fyerje, por në një mjedis demokratik të shëndetshëm. Vullneti i qytetarëve duhet të shprehet qartë, lirshëm dhe ndershëm, sepse vetëm kështu zgjedhjet do të kenë legjitimitet të plotë. Vetëm kështu do të reflektohet plotësisht vullneti i qytetarëve për atë që do t’i përfaqësojë për katër vitet e ardhshme”, tha Gashi.

Ai shtoi se Kuvendi, në këtë moment të rëndësishëm, dërgon një mesazh të qartë për kulturë më të lartë politike në fushatën zgjedhore, e cila duhet të jetë e mbushur me ide, programe dhe vizione, jo me ndarje, fyerje apo gjuhë urrejtjeje.

“Kjo deklaratë duhet të jetë udhërrëfyes për të gjithë ne – partitë, institucionet, mediat dhe mbi të gjitha qytetarët tanë – që zgjedhjet më 19 tetor të jenë një shembull i një demokracie të konsoliduar dhe të pjekur. Kemi detyrën të tregojmë se demokracia jonë po piqet dhe se mund të garojmë pa frikë dhe pa dhunë”, theksoi Gashi.

Nga opozita, Skender Rexhepi nga Fronti Evropian nuk e mbështeti deklaratën, duke e quajtur “fletë të zbrazët” pa kuptim praktik, dhe kritikoi mungesën e veprimit të institucioneve për incidentet midis komuniteteve.

Adnan Azizi nga VLEN iu përgjigj Rexhepit duke thënë se institucionet disponojnë informacion të saktë për personat dhe rastet që tentojnë të destabilizojnë dhe për dëmtimet e mundshme të objekteve fetare.

Nikola Miçevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, vuri në dukje se deklarata pritej të miratohej aklamativisht për të mbështetur procesin zgjedhor.

Koordinatori i Frontit Evropian, Blerim Beqeti, theksoi se nënshkrimi i deklaratës është për të dhënë një shans procesit për zgjedhje të ndershme dhe demokratike dhe kërkoi nga prokuroria të japë informacion për personat e angazhuar nga shtete të tjera që synonin të dëmtonin objekte fetare.

Gjatë debatit, deputetët e bllokut shqiptar përdorën fjalë të papërshtatshme, ndaj të cilave reagoi Fatmir Bitiçi nga LSDM dhe kërkoi një pushim 10-minutësh për të rikthyer dinjitetin e Kuvendit.

Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët tha se do të votojë për deklaratën, por vlerësoi se zgjedhjet nuk do të jenë plotësisht demokratike për shkak të qytetarëve të privilegjuar dhe të diskriminuar që nuk kanë ndikim të barabartë.

Mbështetje nga partia ZNAM shprehu deputetja dhe nënkryetare e Kuvendit, Vesna Bendevska, e cila kritikoi se gjatë debatit nuk u trajtuan pikët e deklaratës dhe theksoi se zgjedhjet e ndershme dhe demokratike janë ato që pasqyrojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.

Related Articles

Back to top button