BallkanXLajme

Fillim tensionues i seancës konstituive të Parlamentit të Shqipërisë

Seanca e parë e Parlamentit të Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, u ndërpre pasi deputetët e opozitës, të udhëhequr nga Sali Berisha, krijuan një atmosferë tensionuese duke u përpjekur të arrijnë në foltore, edhe pse në pjesën e parë të seancës sipas rregullores nuk parashikoheshin diskutime.

Seancën e hapi socialisti Vasil Llajo, si deputeti më i moshuar, pasi as Sali Berisha dhe as Tritan Shehu, të dy nga Partia Demokratike e opozitës, nuk pranuan ta drejtonin këtë seancë.

“Sot, sipas Kushtetutës, më është besuar detyra të hap këtë seancë. Ky është një moment solemn, sepse këtu fillon kapitulli i katër viteve të ardhshme, ku do të shkruhet historia e vendit tonë. Jemi më afër se kurrë anëtarësimit në BE. Ky është një mision historik i këtij institucioni ligjvënës, të tregojë se Shqipëria është e gatshme të ulet në tryezën e Bashkimit Evropian. Ky nuk është mision partiak, por kombëtar”, tha ndër të tjera Llajo.

Sipas rregullores, ai vazhdoi me leximin e emrave të 140 deputetëve, proces që u shoqërua me tensione nga opozita. Pothuajse e gjithë opozita u afrua në foltore për të kërkuar fjalën, duke drejtuar fjalë ofenduese ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, që ata e quajtën “parti e krimit”, pas së cilës kreu i seancës e ndërpreu atë.

Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të korit diplomatik, si dhe kreu i komuniteteve fetare.

Seanca do të vazhdojë në orën 17:00 me betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryetarit, funksion për të cilin socialistët propozojnë Niko Peleshin, ish-ministër i Mbrojtjes. Pas propozimit nuk ka diskutime, do të votohet fshehtas dhe zgjidhet me shumicë votash.

Në përbërjen e 11-të parlamentare pas rënies së komunizmit, 83 mandate i ka Partia Socialiste në pushtet, 50 koalicioni zgjedhor “Për Shqipërinë e Madhe” i udhëhequr nga Partia Demokratike, tri mandate Partia Socialdemokrate, dy Partia e Mundësive dhe nga një “Shqipëria ngrihet” dhe Lëvizja “Bashkë”.

Related Articles

Back to top button