Lokal

BDI: Qeveria është kapur nga “bota serbe”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim të madh për, siç thotë, intensifikimin e ndikimit politik dhe kulturor të “Botës serbe” në Maqedoninë e Veriut, përmes mbështetjes së hapur nga qeveria aktuale.

Në komunikatën e publikuar nga kjo parti, BDI thekson se në territorin e vendit po mbahen gjithnjë e më shpesh manifestime të organizuara nga Beogradi, ku promovohet narrativa historike e “Serbisë së Vjetër” dhe të ashtuquajturit “çlirimtarë serbë”, gjë që, sipas saj, fyen identitetin dhe shtetësinë e Maqedonisë së Veriut.

“Përvjetorë dhe ceremoni të tilla madje po zhvillohen në të njëjtën ditë me festat shtetërore, duke krijuar absurditetin e dy ‘pavarësive’ paralele. Përmes vendosjes së pllakave përkujtimore për vojvodën serb Vuk dhe me pjesëmarrjen e strukturave paramilitare serbe në këto aktivitete, legjitimohet hapur shovinizmi serb, ndërkohë që qeveria e VMRO-së e pengon me histeri çdo përpjekje të shqiptarëve për të ngritur një monument të vetin”, thuhet në reagim.

Sipas BDI-së, këto zhvillime ndodhin nën hijen e një marrëveshjeje të fshehtë me Serbinë, e cila nuk është publikuar dhe nuk ka kaluar në Parlament. Partia paralajmëron se standardi i dyfishtë i qeverisë – ku për marrëdhëniet me Bullgarinë hapet panik kombëtar, ndërsa me Serbinë mbyllen sytë ndaj revizionizmit historik – rrezikon jo vetëm integritetin shtetëror, por edhe perspektivën euroatlantike të vendit.

Related Articles

Back to top button