
Një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e së shtunës në fabrikën “Makprogres” në Vinicë, e njohur për brendin “Vincini”. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:40, duke përfshirë disa magazina dhe sektorë të prodhimit.
Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, zjarrfikësit arritën ta vendosin zjarrin nën kontroll. Megjithatë, tre linja të prodhimit – numrat 6, 7 dhe 8 – u dogjën, ndërsa linjat 1 deri në 5 u shpëtuan.
“Zjarrin e luftuan ekipe zjarrfikësish nga Vinica, Makedonska Kamenica, Dellçeva, Koçani, Probishtipi, Shtipi, Strumica, Kavadari dhe Velesi”, deklaroi Angelov.
Ai bëri të ditur se disa zjarrfikës janë lënduar, duke pësuar djegie në këmbë pasi u ngjitën në smolën e krijuar nga sheqeri i shkrirë në njërin prej reparteve. “Gjatë përpjekjes për të liruar këmbët, çizmet e tyre mbetën në sheqerin e shkrirë dhe ata shkelën mbi masën e nxehtë”, shpjegoi Angelov.
Fabrika “Makprogres” prodhon produkte të ëmbëlsirave dhe biskotave të markës “Vincini”. Autoritetet njoftuan se nuk ka viktima, ndërsa hetimet mbi shkaqet e zjarrit janë duke vazhduar.



