
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, u bë e ditur se partia ka propozuar Albin Kurtin për kryeministër të Kosovës.
Glauk Konjufca gjatë fjalës së tij theksoi se këtë vit është shfaqur përpjekja më e rrezikshme për të mosnjohur rezultatin zgjedhor. Ai shtoi se partitë opozitare, që kanë deklaruar veten kundërshtare të VV-së, që nga certifikimi i zgjedhjeve kanë tentuar të argumentojnë se një votë më pak se 50% mund të bllokojë formimin e Kuvendit.
“Formimi i Kuvendit është shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe rezultat i zgjedhjeve. Të jesh kundër themelimit të tij, do të thotë të jesh kundër interesit të vendit. Kriza ka zgjatur sepse disa parti kanë vendosur që VV-ja të mos ketë kryetare Albulena Haxhiun, dhe vazhdon sepse mendojnë se Republika nuk mund të funksionojë pa pranimin e një nënkryetari serb”, deklaroi Konjufca.
Ai gjithashtu theksoi se krizat politike nuk lindin nga vetvetiu dhe nuk qëndrojnë pezull, duke shtuar se edhe Gjykata Kushtetuese ka ndikuar në përkeqësimin e situatës.
“Qasja e gjykatës ka qenë më shumë politike sesa kushtetuese. Ajo duhet të vendosë në një moment të rëndësishëm: ose Kuvendi të funksionojë normalisht, ose të shkohet drejt zgjedhjeve të reja. Një skenar i tretë, që ne e konsiderojmë më të keqin, do të ishte dhënia e të drejtës së vetos Listës Serbe dhe Beogradit mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng i Listës Serbe. Ne kemi Kuvendin dhe do të kemi qeverinë”, përfundoi ai./PortaliX



