Lokal

BDI thotë se Mexhiti u takua me Vulinin, VLEN kundërpërgjigjet: Pse u takua Osmani me Gruevskin

Beteja politike mes BDI-së dhe koalicionit VLEN është ashpërsuar me akuza të ndërsjella.
Në një kumtesë, BDI ngre pyetjen nëse në shkurt 2025 në kabinetin e kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka ndodhur një takim mes Izet Mexhitit dhe Aleksandar Vulinit, ku thuhet se është diskutuar një investim serb në “Bitolska Banka”. BDI kërkon transparencë nga Mexhiti, Dimitrievski dhe zëvendëskryeministri Stoilkoviç.

“A ka ndodhur më shkurt 2025, në kabinetin e Kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në praninë e Zëvendëskryeministrit Stoilkoviç, një takim midis Izet Mexhitit dhe Aleksandar Vulin, gjatë të cilit është diskutuar dhe koordinuar një investim i madh serb në Bitolska Banka? Nëse këto informacione rezultojnë të sakta, është e domosdoshme që qytetarët të informohen për motivet, përmbajtjen dhe pasojat e një takimi të tillë. Çdo mungesë transparence kur bëhet fjalë për interesa financiare ndërkombëtare ngre dyshime serioze për ndikim dhe varësi politike”, thanë nga BDI.

Nga ana tjetër, VLEN e cilëson këtë reagim si shpifje, duke theksuar se e vetmja e vërtetë është takimi i Bujar Osmanit me të arratisurin Nikolla Gruevski në Budapest. Sipas VLEN-it, Osmani duhet të sqarojë publikisht arsyet e këtij takimi dhe të marrë përgjegjësi politike, duke theksuar se sulmet ndaj VLEN-it janë shenjë paniku nga BDI.

“Reagimi i BDI-së, se gjoja Izet Mexhiti është takuar me Vulinin, është po aq i pavërtetë sa edhe mundësia që Artan Grubi të hiqet nga lista e zezë e SHBA-së para zgjedhjeve lokale. Nervozizmin e BDI-së e kuptojmë, por gënjeshtrat e Bujar Osmanit nuk mund të mbulohen me gënjeshtra të tjera. Shqiptarët presin përgjigje: Cila është arsyeja e vërtetë e takimeve të Bujar Osmanit me Gruevskin në Budapest?”, thanë nga VLEN

Akuzat e ndërsjella për takime të fshehta me figura të diskutueshme politike po e tensionojnë edhe më shumë skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut./PortaliX

Related Articles

Back to top button