
Kandidati i AKI-t për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, në tubimin e mbrëmshëm ku ishte i pranishëm edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se fitorja në zgjedhjet e ardhshme është e pashmangshme dhe se qytetarët tashmë e kanë bërë zgjedhjen mes ndershmërisë dhe korrupsionit.
Sipas tij, mbrëmë u dëshmua se Aleanca Kombëtare për Integrim përfaqëson bashkimin më të madh kombëtar që nga viti 2001.
“Atëherë kushtrimi ishte për ta sjellë barazinë, sot është për ta mbrojtur atë,” tha Osmani.
Ai shtoi se kjo lëvizje gjithëpopullore e rezistencës dhe shpresës po bëhet çdo ditë më e fortë dhe më masive.
“Bashkë për t’i thënë ‘mjaft’ diskriminimit, nënçmimit, keqmenaxhimit dhe korrupsionit,” theksoi Osmani, duke bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve.



