
Elon Musk po shtyn përpara një projekt madhor me vlerë 760 milionë dollarë, përmes kompanisë së tij The Boring Company, duke propozuar ndërtimin e tuneleve nëntokësore nën Houston. Qëllimi i planit është të lehtësohen përmbytjet kronike që godasin qytetin, një nga më të rrezikuarit në SHBA.
Sipas një hetimi të përbashkët nga ProPublica, The Texas Tribune dhe disa media lokale, projekti parashikon ndërtimin e dy tuneleve me diametër 12 metra, që do të devijonin ujërat e stuhive nga rezervuarët federalë drejt Gjirit të Meksikës. Këto tunele, me gjatësi rreth 36 milje, do të shtriheshin nga rezervuarët Addicks dhe Barker deri te porti i Houstonit, duke u bërë pjesë e një strategjie më të gjerë 30 miliardë dollarëshe për kontrollin e përmbytjeve në Qarkun Harris.
Plani i Musk shënon një hap të rëndësishëm për The Boring Company, duke e shtrirë veprimtarinë e saj përtej tuneleve të transportit, drejt projekteve të mëdha të infrastrukturës publike.
Megjithatë, projekti është futur edhe në sferën e debatit politik dhe të transparencës. Dokumente të brendshme të cituara nga mediat tregojnë se ekipi i kongresistit republikan Wesley Hunt, një mbështetës i fortë i projektit, ka lobuar për sigurimin e 60 milionë dollarëve fonde shtetërore si financim fillestar, madje përpara se të hapej ndonjë tender zyrtar.
Modeli i propozuar parashikon një partneritet publik-privat, ku The Boring Co. do të kishte rol kryesor në projektim, ndërtim dhe operim të tuneleve – çka ka ngritur pikëpyetje mbi konkurrencën dhe qasjen transparente në financim./PortaliX



