XLajme

Dimovski: Nuk e kam përgjuar Mickosin

Mickoski nuk është përgjuar në kohën kur unë isha drejtor i ASK-së – kështu reagoi ish-shefi i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, pas akuzave të drejtorit aktual, Bojan Hristovski.

Dimovski i hodhi poshtë të gjitha pretendimet dhe i kërkoi Hristovskit që menjëherë t’i hapë dosjet sekrete, në mënyrë që opinioni të shohë të vërtetën. Ai sqaroi se në periudhën 2019–2022, agjencia vetëm ka rishikuar certifikata sigurie, mes tyre edhe për një deputet që dyshohej se kishte nxjerrë informacione të klasifikuara, për çka ishte paraqitur kallëzim penal.

“Me përgjegjësi deklaroj se Mickoski, si lider i opozitës atëherë, nuk ka qenë objekt i ndonjë interesi operativ, as i ndonjë veprimi të organizuar, e as i ndonjë mase teknike për përgjim. E ftoj drejtorin e ASK-së që pa vonesë t’i deklasifikojë dokumentet, posaçërisht ato që lidhen me gjoja përgjimin e liderit të opozitës.” – shkroi Dimovski.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski përsëriti sot akuzat se ai, bashkë me gazetarë, biznesmenë dhe figura publike, kanë qenë viktima të përgjimeve të paligjshme. Ai paralajmëroi se për këtë do të ketë përgjegjësi.

Edhe lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkoi deklasifikim të dokumenteve për të shmangur, siç tha, “gjuetinë e shtrigave”.

Nga Prokuroria Publike mohuan se urdhërat për përgjim kanë ardhur nga aty, duke theksuar se ata vetëm përcjellin kërkesat ligjore të ASK-së në Gjykatën Supreme, e cila lëshon urdhrat për masat e posaçme. Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion tashmë ka hapur rast për këtë çështje dhe po kryhen verifikime.

Në një aktivitet mbrëmë me rastin e Ditës së ANB-së, drejtori Hristovski publikoi të ashtuquajturën aferë të re të përgjimeve, duke akuzuar ish-drejtuesit për ndjekje të paligjshme. Nga ASK njoftuan se kanë dërguar tri raportime në Prokurori kundër ish-drejtorit dhe disa të punësuarve, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime gjatë viteve 2019–2024: formim dosjesh për opozitën, gazetarë dhe funksionarë, vonesa në verifikimet e sigurisë dhe përgjime të paligjshme.

Shoqata e Gazetarëve dhe Sindikata e Gazetarëve kërkuan reagim urgjent, ligjor dhe të pavarur të institucioneve, duke paralajmëruar se ndjekja e gazetarëve është rrezik serioz për lirinë e medias dhe besimin tek organet shtetërore.

Kjo është afera e tretë e madhe e përgjimeve në vend pas asaj të vitit 2000, e njohur si “Veshi i Madh”(Golemo Uvo), dhe aferës së vitit 2015, të quajtur “Bombat e Zaevit”, kur SDSM akuzonte VMRO-DPMNE për përgjim të funksionarëve dhe gazetarëve.

Related Articles

Back to top button