
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, së bashku me kryetarin e Komunës Aerodrom, Dejan Mitevski, sot vizituan shkollën fillore “Bllazhe Koneski”, ku ndanë tabletë për nxënësit e klasës së katërt dhe inspektuan punimet e rindërtimit të shkollës.
Janevska theksoi se shpërndarja e pajisjeve digjitale është një hap i rëndësishëm drejt barazisë në arsim.
“Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për t’u ofruar të gjithë nxënësve akses të barabartë në teknologjinë bashkëkohore dhe burimet online të informacionit. Masë e veçantë për familjet me të ardhura më të ulëta, të cilat shpesh nuk kanë mundësi t’u blejnë fëmijëve pajisje të tilla”, tha ministrja.
Ajo kujtoi se gjatë muajve të fundit janë furnizuar 80 shkolla me kompjuterë të rinj, tabela interaktive dhe pajisje për internet të sigurt. Së shpejti pritet të ndahen edhe vauçerë prej 15 mijë denarësh për studentët, me qëllim nxitjen e digjitalizimit të arsimit.
Nga ana tjetër, kryetari Mitevski theksoi se projekti është pritur pozitivisht nga qytetarët e Aerodromit. Vetëm këtë vit, tha ai, janë ndarë tabletë për 915 nxënës, me një vlerë investimi prej 6,5 milionë denarësh./PortalX



