Nis viti i ri shkollor 2025/2026: 245 mijë nxënës rikthehen në banka, risia – libra të rinj dhe inteligjenca artificiale në mësim

Sot, zilja e parë e shkollës shënon fillimin e vitit të ri shkollor 2025/2026 për mbi 245 mijë nxënës në vend – 177.800 në arsimin fillor dhe 67.200 në arsimin e mesëm. Vetëm në klasat e para pritet të ulen rreth 17.250 filloristë dhe mbi 17.200 gjimnazistë të rinj, ndërsa të dhënat pritet të plotësohen gjatë ditëve në vijim.
Procesi mësimor do të zgjasë deri më 10 qershor, përveç maturantëve, të cilëve u përfundon më herët, më 15 maj.
Libra për të gjithë dhe për herë të parë pas 7 vitesh edhe për gjuhë të huaja
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi se këtë vit janë siguruar libra për të gjithë nxënësit. Klasat e shtata dhe gjimnazet e vitit të parë kanë marrë tekste të reja sipas programeve të rishikuara. Pas një pauze shtatëvjeçare, nxënësit do të kenë në duar edhe libra për gjuhë të huaja – anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht.
Shkolla më të përmirësuara dhe përfshirje më e gjerë
Gjatë verës, shumë shkolla janë rinovuar dhe është rritur numri i asistentëve arsimorë në institucionet fillore, ndërsa për herë të parë ndihma e tyre do të ofrohet edhe nëpër shkollat e mesme.
Inteligjenca artificiale dhe ditari elektronik i ri
Ky vit sjell edhe një risi: inteligjenca artificiale do të përdoret në mësimdhënie, përmes një manuali të posaçëm që do t’i udhëzojë mësuesit dhe nxënësit për përdorim etik dhe të dobishëm. Po ashtu, hyn në fuqi edhe një ditar elektronik i ri, me funksionalitet më të mirë se ai i mëparshmi, që do t’i lejojë mësuesit të plotësojnë të dhënat në çdo kohë.



