
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi sot Qeverinë se praktikisht ka ndalur negociatat me Bashkimin Evropian.
“Është mirë të dimë ku ndodhemi. VMRO-DPMNE erdhi në pushtet me një fushatë të rreme, duke premtuar pozicione më të mira negociuese, por tani asgjë nuk po ndodh. Nuk ka ligje reformuese në Parlament, nuk ka lëvizje në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe hapjen e kapitujve të negociatave me BE-në. Ata po kërkojnë vetëm justifikime”, deklaroi Filipçe.
Ai shtoi se qëndrimi i Qeverisë tregon qartë se nuk ka interes të hapë negociatat dhe nuk po zhvillon as aktivitet diplomatik serioz për këtë çështje.
“Është e qartë se ata janë konsistent drejt asaj që të mos ketë negociata me BE-në. Ne nuk do ta lejojmë këtë, sepse e ardhmja e vendit është vetëm në Bashkimin Evropian”, theksoi Filipçe.



