Rajon

Britania synon të mbyllë përdorimin e hoteleve për emigrantët që kërkojnë azil

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka bërë të ditur se dëshiron të përshpejtojë planet për t’i dhënë fund praktikës së strehimit të azilkërkuesve nëpër hotele në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.

Në një intervistë për BBC, Starmer tha se synon ta realizojë këtë objektiv brenda vitit 2029, në fund të mandatit aktual parlamentar.

“Kur bëhet fjalë për hotelet që përdoren nga azilkërkuesit, dua që ato të zbrazen. Kam qenë shumë i qartë për këtë. E kuptoj plotësisht pse njerëzit janë të shqetësuar. E vetmja mënyrë për t’i zbrazur është një punë e rregullt dhe sistematike me rastet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe më pas kthimi i atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu”, tha kryeministri britanik.

Britania po përballet aktualisht me një numër rekord kërkesash për azil, kryesisht nga mbërritjet me anije të vogla përmes Kanalit të La Manshit – mbi 28,000 persona vetëm gjatë këtij viti.

Përdorimi i hoteleve për strehimin e tyre ka shkaktuar kritika të ashpra. Kundërshtarët e kësaj politike e cilësojnë atë tepër të kushtueshme dhe të rrezikshme për komunitetet lokale, ku janë raportuar raste të përfshirjes së emigrantëve në veprimtari kriminale.

Ditët e fundit, qindra protestues kanë rrethuar hotelet ku janë vendosur emigrantët, ndërsa Gjykata e Lartë britanike ka urdhëruar ndalimin e përdorimit të hoteleve për azilkërkues, pas një rasti kur një shtetas etiopian i akuzuar për vepra penale jetonte në një prej tyre.

Ndërkohë, qeveria britanike ka pezulluar edhe aplikimet për ribashkim familjar të refugjatëve, duke shtuar debatet rreth politikave të azilit në vend.

Related Articles

Back to top button