
Nëntë policë përfunduan në Repartin e Toksikologjisë pasi thithën tym gjatë shuarjes së një zjarri pranë Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup. Ata po marrin mbështetje me oksigjen dhe sipas Ministrisë së Brendshme janë në gjendje të qëndrueshme.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 16:00, kur pavarësisht kushteve të pafavorshme të motit, policët e angazhuar për sigurinë e turneut ndërkombëtar të hendbollit, së bashku me ekipet zjarrfikëse, ndërhynë për të ndalur përhapjen e zjarrit. Ata kanë parandaluar që flakët të përfshijnë automjetet, objektet përreth dhe pistën e akullit të qendrës sportive.
Të gjithë pjesëmarrësit e turneut, stafi dhe publiku janë evakuuar në kohë dhe në mënyrë të sigurt. MPB theksoi se falë reagimit të shpejtë të forcave të sigurisë dhe zjarrfikësve, situata është vendosur nën kontroll pa pasoja më të rënda.



