
Kryeministri Hristijan Mickoski ka refuzuar propozimin e liderit të LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, për miratimin e një rezolute në Kuvend me “linja të kuqe” lidhur me procesin e eurointegrimeve. Sipas propozimit, nëse Bullgaria vendos veto të re, Maqedonia e Veriut do të duhej t’i braktiste negociatat për anëtarësim në BE.
Mickoski këtë nismë e cilësoi si “dinakëri të re”, duke kujtuar se LSDM edhe më herët ka dalë me deklarata të ngjashme, por asnjëherë nuk i ka respektuar sa ishte në pushtet.
“Do t’u kujtoj atyre se ata vetë kishin një deklaratë të tillë në Parlament, për të mos pranuar ultimatumet nga Sofja, por pranuan gjithçka. Po ashtu kishte një deklaratë për të mos ndryshuar emrin e vendit, e votuar nga LSDM, e më pas e shkelën kur erdhën në pushtet. Premtuan se do t’i respektonin rezultatet e referendumit, por kur ai dështoi, as ato nuk i respektuan.
Kjo është një çështje që duhet të udhëhiqet nga njerëz seriozë, me vizion dhe strategji të qartë, jo me lojëra dinakërie. Pamë çfarë i bënë shtetit dhe qytetarëve për shtatë vjet me atë lloj politike. A ju kujtohet kujdesi shëndetësor ‘evropian’, a ju kujtohet gjithçka që u tha? Asgjë nuk u realizua”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.



