Mexhiti promovon bartësin e listës për këshilltarë të Çairit, doktorin dhe aktivistin Muhamed Murtezi

Kandidati për kryetar Çairit Izet Mexhiti ka prezantuar emrin e bartësit të listës për Këshillin Komunal, Dr. Muhamed Murtezi. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti ka shkruar për Murtezin se është një njeri me vlera të larta me të cilin do të korrin fitore në këtë komunë.
“Vizioni ynë, bashkë me kryetarin e ardhshëm të Çairit, Izet Mexhiti, është një Çair më i bukur, më i pastër, më i sigurt. Edukim dhe arsim më cilësor, kulturë e sport më të zhvilluar, jetë më e mirë e më dinjitoze. Sepse banorët e Çairit e meritojnë këtë dhe unë besoj se kjo është e arritshme me vullnet të mirë, përkushtim të madh dhe punë të ndershme. Prandaj e kërkojmë mbështetjen tuaj me 19 tetor. Për Çairin tonë”, është shprehur Murtezi.
Muhamed Murtezi studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Univerzitetin e Prishtinës, ndërsa masterin në Univerzitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në Fakultetin Filozofik, Drejtimi ‘Studime Evropiane për Integrim’. Që nga viti 1991 është pjesë aktive e shoqërisë civile. Ka qenë Kryetar i Lidhjes së Rinisë Islame, Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional. Po ashtu, Kryeredaktor i revistës edukative e kulturore VEPRA dhe Kryeredaktor i revistës ndërkombëtare shkencore CENTRUM. Bashkëthemelues dhe Drejtor i Shtëpisë Botuese “Furkan ISM”.
Për zgjedhjet lokale të tetorit është kyçur për herë të parë në veprimtarinë partiake politike. Është bartës i listës së këshilltarëve të VLEN-it për Komunën e Çairit dhe kandidat për Kryetar të Këshillit.



