Lokal

Doktor Irfan Ahmeti dhe Borçe Stamenov dekorohen me çmimin “Nëna Tereza”

Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në Kuvend, u dorëzua çmimi shtetëror “Nëna Tereza” për vitin 2025. Këtë vit, mirënjohjen më të lartë në fushën e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor e morën doc. dr. Irfan Ahmeti, nga Klinika e Endokrinologjisë, dhe Borçe Stamenov, nga iniciativa “Dhuro një kompjuter”.

Ky çmim ndahet për arritje të veçanta me interes shtetëror, për inkurajimin dhe promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet kombeve, kulturave dhe feve të ndryshme.

Kryetari i Bordit për ndarjen e çmimit, Behixhudin Shehapi, tha se kjo mirënjohje nuk është thjesht një shpërblim. “Njerëzimi nuk konkurron, por merr pjesë pa kushte në ndërtimin e një bote më humane dhe më të bukur”, theksoi ai. Duke reflektuar mbi sfidat globale, Shehapi nënvizoi: “Në epokën e re të shënuar me informacione, shpejtësi dhe transformim në një botë moderne digjitale virtuale dhe artificialisht inteligjente, për fat të keq, pavarësisht rritjes teknologjike, vetëdija njerëzore është në regres. Kjo dëshmohet nga luftërat në Palestinë dhe Ukrainë dhe shumë luftëra të tjera të ftohta… Në vendin tonë, rinia e Koçanit u dogj, shpirti i atij qyteti u dogj, të cilin sot po përpiqemi ta shërojmë me respekt, dhembshuri dhe një dorë të zgjatur”.

Ai shtoi se me këtë akt solem, shoqëria vazhdon të ecë në gjurmët e Nënë Terezës, duke përhapur fisnikëri dhe bamirësi.

Fituesi i parë, doc. dr. Ahmeti, e quajti çmimin një nder dhe përgjegjësi: “Siç do të thoshte Nënë Tereza, nuk ka rëndësi sa bëjmë, por si e bëjmë dhe sa dashuri sjellim. Unë personalisht nuk do të tërhiqem nga kontributi im profesional në shoqëri, sepse vetë profesioni mjekësor është një profesion human”, tha ai.

Nga ana tjetër, Borçe Stamenov, i njohur edhe si fitues i çmimit shtetëror “Meto Jovanovski”, u shpreh se këto vlerësime përfaqësojnë një motivim shtesë: “Në një farë mënyre je në rrugën e duhur dhe ajo që po bën po merr fidbek pozitiv”.

Çmimi shtetëror “Nëna Tereza” u themelua në vitin 2006 dhe prej atëherë është kthyer në një simbol të mirënjohjes për ata që me veprimet e tyre përhapin humanizëm, solidaritet dhe frymë bashkëpunimi në shoqëri.

Related Articles

Back to top button