
Banorët e Sfillares së Epërme i kërkuan kandidatit të VLEN për kryetar të Sarajit, Muhamed Elmazi të angazhohet për rregullimin e kanalizimit dhe furnizimin me ujë të pijshëm pa ndërprerje. Një ndër problemet poashtu jetike për ta është edhe mungesa e transportit publik.
“Ajo çka na mundon neve ma tepër. Autobusi qarkullon rregullisht, këtë e dinë të gjithë, parkohet në Sfillaren e Poshtme. Domethënë linjën e bën, parkohet në Sfillaren e Poshtme dhe u kry puna. Realisht ai autobus është për neve. Pse nuk vjen, pse ndalet atje, ende nuk kemi përgjigje”, deklaroi njëri prej banorëve në takim.
Një banor tjetër u ankua për afërsinë e kanalit me venbanimet dhe erën e keqe dhe kërkoi zhvendosjen e tij të paktën 500 metra nga shtëpitë e banuara.
“Shembull unë jetoj atje poshtë, prej kanalit vjen era. Nëse e shohim si është me ligj. Minimumi duhet të jetë 500 metra larg shtëpisë që të mos vijë era. Financon shtëpi 100 ose 200 mijë euro dhe nuk mund të dalësh në tarracë për shkak të erës”, deklaroi banori i Sfillares së Epërme.
Kandidati për Sarajin nga VLEN Muhamed Elmazi premtoi shqyrtim të të gjitha halleve dhe përpilimin e programit bashkë me banorët.
“Në cilësinë e kandidatit për kryetar komune të përkrahur nga të gjithë partnerët e koalicionit, dhe kryetarët e koalicionit VLEN, njëherit edhe në cilësinë e mysafirit, dua që planprogrami im të jetë si rezultat i kërkesave aktuale të çdo vendbanimi”, u tha Elmazi banorëve.



