
Çairi, një nga komunat më të dendura jo vetëm në Shkup, por edhe në gjithë Evropën, pritet të marrë një drejtim të ri urbanistik. Dy nga pretendentët kryesorë për kryetar të komunës – zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dhe ish-ministri Bujar Osmani po paralajmërojnë përfshirjen e dy arkitektëve me famë botërore, njëri nga Turqia dhe tjetri nga Meksika, të cilët do të hartojnë vizione dhe projekte për transformimin e kësaj zone.
Ky zhvillim e ngre garën zgjedhore në Çair në një nivel tjetër, duke e zhvendosur vëmendjen nga retorika politike tek idetë konkrete për përmirësimin e jetesës në një hapësirë ku jetojnë mbi 62 mijë banorë në vetëm 3.52 kilometra katrorë – një densitet prej 17.780 banorësh për kilometër katror, që e rendit Çairin në listën e komunavemë të ngarkuara në kontinent.
Bujar Osmani ka paralajmëruar bashkëpunim me arkitektin meksikan Michel Rojkind, i njohur ndërkombëtarisht për projektet e tij futuristike dhe për vizionin në arkitekturën bashkëkohore. Revista Forbes e ka renditur Rojkindin mes 10 arkitektëve më inovativë në botë, ndërsa një nga veprat e tij më të njohura është Muzeu i Çokollatës Nestlé pranë Tolukës (2007), një strukturë që ka fituar çmime ndërkombëtare.
Ai ka realizuar gjithashtu projekte për Qendrën Kombëtare të Filmit në Meksikë, një treg urban bashkëkohor dhe disa ndërtesa rezidenciale, duke kombinuar estetikën moderne me funksionalitetin publik. Osmani thekson se përfshirja e tij do t’i sjellë Çairit një vizion të ri për një qytet më të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe futurist.
“Ky nuk është një planifikim urban konvencional. Është një ftesë për ta rimenduar Çairin si një sistem të gjallë, të rrënjosur në kujdes, kujtesë dhe praninë kolektive. Fokusi ynë nuk është thjesht në dizajnimin e infrastrukturës së re, por në kultivimin e inteligjencës së thellë kulturore, hapësinore dhe shoqërore që tashmë është e mishëruar në këtë lagje të jashtëzakonshme. Puna jonë fillon duke dëgjuar ritmet e Çarshisë së Vjetër, duke u mbështetur në dijen ndërbreznore të komuniteteve të saj, dhe në mënyrat e përditshme me të cilat njerëzit e gjallërojnë dhe e banojnë hapësirën publike. Çairi nuk është vetëm një vend në hartë; ai është një simbol i bashkëjetesës dhe vazhdimësisë. Ne besojmë në krijimin e mjediseve ku kulturat e ndryshme jo vetëm që bashkëjetojnë, por lidhen thellësisht mes tyre. Ku njerëzit ndihen të parë, të vlerësuar dhe në shtëpi, pavarësisht prejardhjes së tyre. Ku vendimet merren bashkë me komunitetet, jo për to, dhe ku kujdesi për tokën dhe për njëri-tjetrin bëhet themeli i gjithçkaje që ndërtojmë”, ka shkruar arkitekti meksikan në rrjetet sociale.
Izet Mexhiti ka bërë të ditur se në ekipin e tij ka përfshirë Bajram Vardarin, arkitekt me origjinë shqiptare nga Shkupi, i cili ka lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin urban të Turqisë. Vardar ka qenë pjesë e ekipit të Rexhep Taip Erdogan gjatë kohës që ky i fundit drejtonte Stambollin dhe më pas ka ushtruar funksionin e kryearkitektit të Bursës, një nga qytetet më të mëdha të vendit. Në ditën e tretë të tij rreth Çairit, ai po harton planin.
“Ajo që diskutohet në qytetet moderne është ajo që ne e quajmë “Slow City, është qyteti i ngadaltë. Një nga argumentet më të rëndësishme për një Qytet të Ngadaltë janë shtigjet e biçikletave dhe shtigjet e këmbësorëve. Niveli kulturor i një qyteti, dhe niveli i zhvillimit të tij, varen vetëm nga rëndësia që u jep këmbësorëve. Makinat duhet të lihen në prioritet të dytë ose të tretë. Të parët vijnë këmbësorët, pastaj makinat”, thotë arkitekti turk i cili beson se plani për zhvillimin urbanistik të Çairit do të jetë një projekt afatgjatë por i qëndrueshëm që do të modernizojë vendin.
Këto plane dhe premtime të kandidatëve të Çairit janë ndër fushatat e para në të cilat garohet me ide të tilla madhore dhe konkrete duke dëshmuar për një betejë të ashpër në këtë komunë me shumicë shqiptare.



