Skandal! Prokuroria “shpëton” Zatkoskin dhe Korunoskin nga akuza për korrupsion 39 mijë eurosh

Edhe pse dëshmitë janë të qarta, shumat e përmendura marramendëse dhe personat përgjegjës të identifikuar, Prokuroria Themelore Publike në Prilep ka vendosur të mos nisë ndjekje penale për rastin e bujshëm të mashtrimit me punësime të premtuara kundrejt pagesave të larta në para që arritën shumën afro 39 mijë euro, të cilin e publikoi PortaliX.
Bëhet fjalë për rastin në të cilin dy të dëmtuar – Filip dhe Nikollçe Dunimaglloski nga Krivogashtani – kanë paraqitur kallëzim penal kundër Toni Zatkoskit, ish kryetar i Krivogashtanit dhe epror aktual policor në stacionin e këtij qyteti, dhe Blagoja Korunoskit, një influencer dhe “bamirës” tiktoku, nën dyshimin se u kanë marrë shuma të mëdha parash për t’i punësuar në institucione shtetërore. Në lojë kanë qenë emërime në polici e doganë.
Sipas dokumentit të vendimit të cilin e ka siguruar redaksia e PortaliX, Prokuroria e ka hedhur poshtë kallëzimin penal me arsyetimin se “mashtrimi nuk përbën vepër penale për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare”. Njëkohësisht, prokuroria shkruan se të dëmtuarit me vetëdije i kanë dhënë paratë, duke e ditur se edhe ata po bëjnë vepër penale të korrupsionit, ndërsa në asnjë moment nuk është dëshmuar se kanë qenë të mashtruar ose hamendur nga të dyshuarit.
“Në kuadër të hetimeve, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme të informimit dhe janë marrë deklaratat e personave të dëmtuar, si dhe është shqyrtuar përmbajtja e kallëzimit penal dhe dokumentacioni përkatës. Nga këto, rezulton se të dëmtuarit kanë pasur kontakte me të kallëzuarit me qëllim punësimi të afërmve të tyre në institucione shtetërore, për çka është diskutuar edhe për dhënie të mjeteve materiale. Megjithatë, në bazë të fakteve të paraqitura, prokuroria vlerëson se nuk janë përmbushur elementet e nevojshme ligjore të veprës penale “mashtrim” apo ndonjë vepre tjetër për të cilën mund të ndiqet penalisht zyrtarisht. Si rrjedhojë, prokuroria ka marrë vendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal, meqë nuk ekzistojnë baza ligjore për ndjekje penale”, shkruan Prokuroria.
Nga kjo shpjegohet se prokuroria madje nuk e ka marrë as mundimin që të marrë në pyetje Zatkoskin dhe Korunoskin.
“I nderuar medium, ja kjo është drejtësia në Maqedoni. Krimi i organizuar hidhet poshtë si i pabazë, pa asnjë sanksion dhe pa asnjë detyrim që personat e lartpërmendur t’i kthejnë paratë…Tmerr nga prokurorë të korruptuar.”, thotë njëri prej të dëmtuarve Filip Dunimaglloski.
Nga dëshmitë zyrtare rezulton se të dëmtuarit janë shantazhuar disa herë për të paguar shuma të ndryshme që arrijnë në mbi 346.000 denarë, apo rreth 5.600 euro për një vend pune në doganë për vajzën e njërit prej tyre. Paratë janë dorëzuar në kafene, stacione karburanti dhe madje edhe në makinë. Janë përmendur emra zyrtarësh dhe janë dhënë premtime për punësim edhe në MPB.
Pavarësisht deklarimeve të dëmtuarve, provave të transaksioneve bankare dhe dëshmive të drejtpërdrejta, Prokuroria Themelore në Prilep konkludon se nuk ka vepër penale që përndiqet zyrtarisht. Me këtë vendim, institucioni legjitimoi në heshtje një praktikë të rrezikshme: shitjen e vendeve të punës në sektorin publik.
Ky vendim nuk është vetëm një refuzim për drejtësi, por edhe një mesazh i fortë për të gjithë qytetarët se mund ta shkelin ligjin dhe të kalojnë lehtë nëse kanë emër të fortë, edhe kur mashtrimi është i qartë.
Më shumë për lajmin e publikuar më parë…https://portalix.mk/2025/07/24/3102/
Ministri i Brendshëm kursen eprorin e korruptuar policor Zatoski



