Konkurs për 600 policë para 6 muajve, tani për 150 të tjerë, a dështoi konkursi për policë se nuk pati mjaftueshëm shqiptar?!

Pa përfunduar ende procesi i selektimit të policëve të rinj nga konkursi i dhjetorit të vitit të kaluar, Ministria e Brendshme ka nisur një konkurs tjetër për punësimin e 150 policëve të tjerë.
Edhe pse i pa përmbyllur, madje ende në fazë selektimi të kandidatëve për gjashtë muaj, ministria e Brendshme e vlerëson konkursin e 600 policëve si të suksesshëm.
MPB për PortaliX thotë se se procesi i selektimit të kandiatëve dhe pastaj lidhja e kontratave një vjeçare me ta do të bëhet së shpejti, por pa komentuar vonesën për mbi gjashtë muaj.
“Në lidhje me pyetjet tuaja, së pari për shpalljen për 600 policë nga dhjetori i vitit të kaluar, ju njoftojmë se, edhe pse është në zhvillim faza e fundit e përzgjedhjes së kandidatëve të paraqitur, vlerësojmë se ajo ka qenë e suksesshme. Pas përfundimit të fazave të përzgjedhjes dhe pas formimit të listës së renditjes, kandidatët e përzgjedhur nuk fillojnë menjëherë punën, por me ta Ministria lidh Kontratë për trajnim bazë për kandidat për polic, me kohëzgjatje prej një viti”, thonë nga MPB.
MPB arsyeton konkursin e ri për 150 policë se është vetëm për Shkupin i cili është më kompleks.
“Përveç shpalljes aktuale për 600 policë, në kuadër të së cilës kërkoheshin 300 kandidatë për nevojat e SPB Shkup, duke marrë parasysh se rajoni i SPB Shkup është më kompleks për sa i përket problematikës në terren dhe vazhdon të përballet me mungesë të zyrtarëve policorë në terren, është shpallur edhe një konkurs i ri për pranimin e 150 policëve shtesë, ekskluzivisht për nevojat e SPB Shkup”, thonë nga MPB.
Informacionet e PortaliX brenda policisë thonë se konkursi për 600 policë do të anulohet pasi ka patur një numër tejet të vogël të shqiptarëve dhe partneri shqiptar në koalicion VLEN ka kërkuar anulimin e tij dhe ri hapjen e një tjetri.



