
Zyra e avokatisë Branko Kuzmanoski që përfaqëson familjen e punëtorit të ndjerë që humbi jetën pasi ra nga ashensori i zbrazët në vendin e punës, ka reaguar ndaj dyshimeve për njëanshmëri dhe zvarritje të qëllimshme. I kanë cilësuar akuzat si të pabaza dhe theksuan se çdo veprim i shoqatës së avokatisë është ndërmarrë në përputhje me ligjin dhe në interes të viktimës dhe familjes së tij.
Në përgjigjen e shkruar, avokatët thonë:
“I autorizuari i të dëmtuarve me autorizimet që parashihen me ligj nuk ka mundësi, mënyrë apo qëllim të kontribuojë në vjetërsimin e veprës penale. Kategorikisht, me përgjegjësi dhe transparencë pohojmë se zyra jonë e avokatisë punon vetëm dhe ekskluzivisht në interes të klientëve të tij.”
Ata theksojnë se menjëherë pas ngjarjes kanë kontaktuar institucionet përkatëse, përfshirë Inspektoratin Shtetëror të Punës, MPB-në dhe Prokurorinë Publike të Shkupit për të bërë kontroll të jashtëzakonshëm pasi familja nuk kishte informacione se çfarë ka ndodhur. Dhe nga këto inspektime edhe u ngrit kallëzim penal ndaj përgjegjësit të kompanisë ku punonte viktima.
“Në Prokurorinë Publike të Shkupit është formuar lënda KО nr.34/21, por deri më sot nuk kemi pranuar ndonjë vendim nga prokuroria, ndërsa sipas informacioneve jozyrtare, rasti ndodhet ende në fazë hetimore,” thuhet më tej në përgjigje.
Zyra e avokatisë thotë se ka kërkuar në mënyrë të përsëritur informacione nga Prokuroria, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ata theksojnë se i gjithë procesi penal është në dorën e Prokurorisë, e cila është institucioni i vetëm që ka autoritetin dhe detyrimin për të ndërmarrë veprime hetimore dhe për të marrë vendime për kallëzimin penal.
“Kërkesa për përgjigje për mosveprim nuk duhet t’i adresohet zyrës sonë, por Prokurorisë së Shkupit, siç edhe ne i jemi drejtuar për të marrë informacion mbi statusin e lëndës,”thuhet më tej.
Zyra e avokatisë thekson se është e hapur për bashkëpunim dhe komunikim të mëtejshëm me familjen dhe palët e interesuara dhe se nuk ka asnjë motiv tjetër përveçse të mbrojë interesin ligjor të klientëve të saj. Rasti ka pesë vite që zvarritet dhe familja nuk po gjen qetësi deri sa të shohë fajtorët për vdekjen e të dashurit të tyre duke dalë para drejtësisë.



