
Më 2 korrik 2025, në fshatin Nerov – një fshat me popullsi tërësisht shqiptare – ndodhi një rast i paprecedentë që ka tronditur familjet e vendit. Sipas dëshmive të përcjella nga banori Bexhet Jusufi deri tek redaksia e PortaliX, një polic maqedonas me emrin Dimitar Janevski, në vend që të veprojë në mënyrë profesionale ndaj një grupi fëmijësh që vozisnin motoçikleta të vogla, i ka ndjekur ato me motoçikletë zyrtare dhe ka qëlluar tre herë me armë në ajër, duke i traumatizuar rëndë fëmijët, përfshirë një 14-vjeçar.
“Djali im ende është në gjendje të rënduar psikologjike,” – thotë Bexhet Jusufi, prind i njërit prej fëmijëve në këtë rast, i cili është përpjekur të denoncojë rastin në polici, por është dekurajuar nga një polic shqiptar, i cili i ka thënë se “arma është pastruar, dhe plumbat janë fshehur”, pra se nuk ka bazë ligjore për përndjekje të policit “kauboj”.
Frika në komunitet është shtuar edhe me afrimin e zgjedhjeve. Banorët akuzojnë se strukturat e VMRO-së përmes policisë ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi shqiptarët, veçanërisht për shkak të mbështetjes që fshatrat shqiptare i kanë dhënë kandidatit të LSDM-së në Komunën e Krushevës.
“Ndalohen njerëzit çdo ditë, u merren të dhënat dhe u thuhet se nëse nuk votojnë për VMRO-në, do të përballen me pasoja,” – deklaroi Jusufi për PortaliX.



