XLajme

Ballkani zgjerohet, Shkupi izolohet

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Shkup më 30 qershor dhe 1 korrik, u bëri thirrje vendeve të rajonit që të përmbushin reformat në mënyrë që të përfitojnë nga Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh. Ajo theksoi se çdo euro duhet të shkojë për Ballkanin Perëndimor, por paralajmëroi se nëse nuk realizohen reformat e kërkuara, fondet do të kthehen në buxhetin e Bashkimit Evropian.

“Paratë që i kemi në dispozicion për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë të vlefshme deri në fund të vitit 2027. Nëse nuk i shfrytëzojmë, nëse vendet nuk arrijnë t’i absorbojnë, unë do të detyrohem t’i kthej ato në buxhetin e BE-së. Më mirë do ishte t’jua japim juve nëse dorëzoni reformat, sesa t’i rikthejmë në Bruksel”, tha Kos në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Në samit morën pjesë kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti dhe Edi Rama, si dhe kryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krishto. Delegacioni i Serbisë u kryesua nga ministri për eurointegrime, Nemanja Staroviq, ndërsa Mali i Zi u përfaqësua nga zëvendëskryeministri Filip Ivanoviq, pasi kryeministri Milojko Spajiq mori pjesë vetëm në darkën e 30 qershorit dhe më pas u largua. Ndryshe nga samitet e mëparshme, kësaj here u prezantuan rezultate konkrete të reformave. Kos vlerësoi se, në nivel rajonal, rreth 75% e reformave janë zbatuar ose janë në proces zbatimi, ndërsa 25% mbeten të pazbatuara. Ajo i ftoi liderët që të përshpejtojnë përmbushjen e agjendave të reformave. Mickoski deklaroi se Maqedonia e Veriut është përpara mesatares rajonale, duke udhëhequr në zbatimin e agjendës së Planit për Rritje. Kos njoftoi gjithashtu se, nëse reformat vazhdojnë, nga 1 janari 2026 qytetarët e rajonit mund të përfitojnë roaming falas me BE-në.

Komisionerja Kos shfrytëzoi samitin edhe për të përsëritur qëndrimin e Komisionit Evropian mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut – për përfshirjen e bullgarëve në Preambulë – si kusht për hapjen e konferencës ndërqeveritare. Ajo  theksoi se nëse Maqedonia e Veriut përmbush zotimet dhe ndryshon Kushtetutën, atëherë konferenca ndërqeveritare do të mund të nisë menjëherë, pa kushte të reja politike.

“Identiteti është diçka që e mbajmë në zemër dhe në shpirt. Është mënyra si e ndjejmë vendin tonë, si ruajmë traditat – nga manastiret te ushqimet si tavçe-gravçe, specat e mbushur, kostumet popullore apo marrëdhëniet me të moshuarit dhe ruajtja e gjuhës. Askush nuk mund t’jua marrë këtë,” tha ajo.

Mickoski iu përgjigj duke thënë se për të, identiteti është shumë më shumë se kuzhina – ai përfshin Ilindenin, Gocë Dellçevin, Dames Gruevin dhe gjithë historinë kombëtare.

“Këto 30 vjet kemi bërë shumë lëshime – kemi ndërruar flamur, emër, disa herë Kushtetutën. Nuk ka garanci që kjo është lëshimi i fundit identitar. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk i dëgjoj fjalët, shikoj veprat – dhe ajo që bëjnë disa eurodeputetë nga fqinji ynë lindor nuk përputhet me vlerat evropiane,” deklaroi ai.

 

Related Articles

Back to top button