XLajme

Ligji për Përfaqësim të Drejtë nis rrugëtimin e gjatë, nga Shkupi në Venedik…

Qeveria shpalli Projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Por hapi i parë do të jetë dërgimi i dokumentit për mendim në Komisionin e Venecias. Pas marrjes së mendimit nga Komisioni, do të vazhdojnë procedurat ligjore në nivel kombëtar.

„Sot Qeveria miratoi projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Një ligj me të cilin hapim një kapitull të ri të profesionalizmit në sektorin publik, në nivelin shtetëror dhe lokal. Ky ligj ka një qëllim të qartë. Administrata të jetë një shërbim i vërtetë për të gjithë qytetarët, e ndërtuar mbi dije, merita, profesionalizëm, integritet, në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit. Ndryshe nga e kaluara, kur karta partiake ishte më e rëndësishme se diploma dhe ekspertiza, ne vendosim një standard të ri për dije, integritet dhe merita. Pas kaq shumë viteve të abuzimit, kemi obligim të ndalim të kaluarën, duke ndërtuar institucione që nuk mbështesin të nënshtruarit, por vlerësojnë të aftët“, tha Kryeministri, Hristijan Mickoski.

Mickoski theksoi se dëshiron një administratë multietnike të fuqishme dhe se ky ligj do ta mundësojë atë.

Zv.kryeministri, Izet Mexhiti, tha se ky ligj duhej të ishte miratuar që nga viti 2001, por politika e kishte shtyrë me qëllim.

“Ky projekt ligj shënon një moment historik pasi për herë të parë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat si kategori kushtetuese që nga viti 2001 mer zgjidhje të qartë dhe të plotë ligjore. Edhe pse është dashur të rregullohet me ligj që nga viti 2003 kjo çështje është lënë peng i vullnetit të lirë politik për më shumë se dy dekada. Projektligji garanton qasje të barabartë në punësim dhe avancim në administratën publike, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive etnike në institucionet publike por edhe duke siguruar që punësimi dhe avancimi të bëhen në bazë të meritave dhe kualifikimeve të secilit individ”, tha Izet Mexhiti.

Gjatë punësimit, administratorët potencial do të identifikohen sipas dokumenteve të tyre personale. Përqindja e përfaqësimit etnik do të llogaritet bazuar në censusin e fundit. Megjithatë, shifrat e numrit të popullsisë do të llogariten sipas popullsisë rezidente, duke përjashtuar numrin e popullsisë në diasporë.

Ky projektligj ka shkaktuar reagime të mëdha nga opozita shqiptare, e cila thotë se ky ligj e dëmton dhe nuk e përmirëson statusin e shqiptarëve në punësim.

Related Articles

Back to top button