
Gjykata e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ti shqiptuar masë të paraburgimit përmbarueses Vesna Jakimovska. Gjykatës i procedurës paraprake ka vendosur që në vend të paraburgimit ti shqiptohet vetëm masa e kujdesit.
Në mëngjes MPB njoftoi se përmbaruesja Jakimovska ka sulmuar edhe një polic në stacionin policor në Kërçovë, derisa po merrej në pyetje lidhur me sulmin fizik ndaj gazetarit Furkan Saliu dhe ekipit të PortaliX.
Në një njoftim të shkurtër, policia theksoi se Jakimovska ka sulmuar zyrtarin policor dhe ka shkatërruar materialin zyrtar, pasi u ndalua nga policia mbrëmë para mesnate.
“Më 21.03.2024, në ora 23:20, zyrtarë policorë nga SPB Kërçovë kanë ndaluar V.J.(60) nga Shkupi. Ajo paraprakisht në rrugën “Trajçe Strezoski” në Kërçovë ka sulmuar fizikisht F.S.(33) nga Shkupi dhe i ka dëmtuar pajisjet zyrtare, e më pas në objektin zyrtar të Policisë në Kërçovë, ku është thirrur për bisedë, ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor dhe ka asgjësuar materialin zyrtar të përgatitur. Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj saj do të bëhet kallëzimi përkatës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për rastin në fjalë ka reaguar dhe Ministria e Drejtësis. Nga atje njoftojnë që në bazë të procedurave ligjor i cili detyron njoftim paraprak inspektimi për rastin në fjalë do të kryhet të hënën.
Inspektimi do të fokusohet te puna e përmbarueses dhe ankesat për shkelje ligjore më shumë sesa për sjelljen e saj.
“Për pjesën etike të sjelljes, është përgjegjësi e Odës së përmbaruesve. Ne do të bëjmë atë që na takon lidhur me rastin”, tha Krenar Lloga.
Thirrje që ti merret licenca kanë bërë dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve mediatik.



