Punonin 3 muaj pa rroga, del kontrata e re për 80 të punësuar në Shtëpinë e Shëndetit – Shkup

Ministria e Financave ka dhënë pëlqimin për vazhdimin e kontratave për rreth 80 të punësuar në Shtëpinë e Shëndetit – Shkup. Vendimi vjen një ditë pas raportimit të PortaliX se këta punonjës, të angazhuar me kontratë në vepër, nuk janë paguar gati 3 muaj.
Vazhdimin e kontratave e konfirmoi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, Vullnet Selimi.
“Pas disa javësh përpjekje e angazhim sot kemi marrë pëlqim për vazhdimin e kontratave për të punësuarit në Shtëpinë e Shëndetit – Shkup. Ashtu siç jeni në dijeni çështja e ndërprejres së kontratave në çdo fillim vit për të punësuarit në Shtëpinë e Shëndetit – Shkup përsëritet dhe jo për fajin tonë, ndërsa fatkeqësisht ata që e pësojnë më shumti janë të punësuarit me kontrata në vepër”, shkruan Selimi.
Ai thotë se pas zgjedhjeve janë paraparë dy konkurse përmes të cilëve do të jepen 91 vendime të përhershme pune në këtë institucion.



